Dukaginzade Ahmed Pasha

Dukaginzade Ahmed Pasha, i lindur Progon Dukagjini, ishte gjeneral (pasha) në Perandorinë Osmane. Ai kishte përkrahje të gjërë në Shqipëri dhe brënda ushtrisë osmane, sidimos nga ushtarët me origjinë shqiptare. Përballja e tij me Sulltanin çoi në ekzekutimin e tij. Lajmi i ekzekutimit shkaktoi trazira masive në të gjithë Shqipërinë. Ai është paraardhësi i familjes Dukaginzade.

Dukaginzade Ahmed Pasha është nipi i Lekë III Dukagjinit. Ati tij Nikolla ishte i martuar me Jela Arianitin. Ata kishin dy djem, Progonin, siç ishte emri i tij origjinal dhe Lekën. Në fëmijërinë e tyre ata jetuan në mërgim në Itali, por u kthyen në Shqipëri për të mbështetur luftimet antiosmane. Kryengritësit dhe osmanët arritën një marrëveshje dhe dy vëllezërit u konvertuan në Islam, duke marrë emrat Ahmed (Progoni) dhe Mahmud (Leka). Mahmudi vdiq pasi ata shkuan në Stamboll, por ai mund të ketë pasur pasardhës në Itali.

Ahmed Pasha ishte i dashur dhe i respektuar masivisht në ushtrinë osmane, veçanërisht në mesin e jeniçerëve, shumë prej të cilëve ishin vetë me origjinë shqiptare. Si dikush që kishte lidhje me Perëndimin, pasi në fakt disa degë të Dukagjinëve ende jetonin në trevat venedikase ai luajti rol të rëndësishëm në shumë marrëveshje midis fuqive perëndimore dhe osmanëve. Në kuadër të këtyre marrëveshjeve ai mbronte shpesh interesat e shqiptarëve brenda Perandorisë. Në një traktat me Ankonën, ai fitoi koncesione dhe të drejta të rëndësishme për tregtarët nga Vlora, Janina dhe Arta. Për trevat e Dukagjinëve, të cilat më vonë u organizuan nën administratën e "sanxhakut të Dukagjinit", fitoi përjashtim nga taksimi dhe të drejtën e armëmbajtjes për të gjithë Dukagjinasit. Në Prizren ndërtoi një xhami, në lagjen e atëhershme të Xhamisë së Xhumasë. Sot ajo njihet si Xhamia e Ahmet Beut ose Xhamia Tabakhane.

Shqiptarët që u vendosën në administratën osmane krijuan rrjete të forta etnike, mbështetën njëri-tjetrin dhe shpesh herë interesat mbarë-arbërore. Ahmed Pasha ishte pjesëtar i këtij rrjeti dhe ai bashkëpunoi ngushtë me Guveyi Sinan Pashën i njohur si Arnavut (Shqiptari). Sinan Pasha ishte një gjeneral i rangut të lartë në ushtrinë osmane dhe admiral i flotës osmane në vitet 1492-1493. Ai ishte damad (dhëndër) i derës perandorake dhe ishte i martuar me Ayse Sulltan, vajzën e Sulltan Bajazitit II. Vajza e Sinan Pashës dhe Ajse ishte Gevhershah Ayse. Më 27 nëntor 1503, Dukaginzade Ahmed dhe Gevhershah u martuan. Martesa e tyre e bëri atë damad të dinastisë osmane. Dy fëmijët e tyre ishin Dukaginzade Mehmed Pasha, guvernator i Egjiptit dhe Fatma Sulltan.

Më 1503, ai ishte sanxhakbej i Ankarasë dhe më 1511 ai u bë bejlerbej (guvernator i përgjithshëm) i Anadollit. Në luftën civile midis Princ Selimit dhe Princit Ahmed, mbështetja e tij ndaj Princit Selim ishte një faktor kyç në fitoren e tij pasi ai kishte ndikim të madh mbi trupat jeniçere. Kur Princi Ahmed u përpoq të hynte në kryeqytetin osman në shtator 1511, jeniçerët u revoltuan dhe hoqën të gjithë mbështetësit e tij nga pozitat e pushtetit. Në luftën civile, Dukaginzade Ahmed Pasha ishte komandant i vijës së parë në të gjitha betejat kryesore dhe luajti një rol kyç në fitoren në Yenisehir. Trupat e tij e detyruan Princin Ahmed në një kurth dhe e mundën. Ahmed Pasha mund ta ketë kapur personalisht pas betejës. Raportet bashkëkohore që ndoshta i referohen atij përmendin se Princi Ahmed u gjet nga një gjeneral të cilin ai u përpoq ta korruptonte pa sukses. Pas mboshtjes së Ahmedit, Selimi siguroi pozicionin e tij si Sulltan i ri.

Në verën e vitit 1513, Ahmed Pasha u ngrit në gradën e vezirit (ministër në këshillin e Sulltanit) dhe ishte kryenegociatori për një traktat të ri paqeje me Venedikun. Së shpejti Sulltani filloi një fushatë të re kundër Safavidëve të Iranit. Raportet e bashkëkohësve të Ahmed Pashës, të cilët kishin komunikim personal me të, tregojnë se ai ishte ndër gjeneralët që ishin kundër fushatës pasi mendonin se kjo do të kushtonte shumë jetë. Kur fushata filloi në 1514, Dukaginzade Ahmed kishte komandën e 20,000 kalorësve (spahinj). Në betejën e Çaldiranit që vendosi fushatën, ai ishte në vijën e parë pranë Selimit I me vezirët e tjerë. Osmanët e fituan betejën dhe pjesa më e madhe e ushtrisë safavide u shpartallua. Ahmed Pasha pas betejës u ngarkua me detyrë të hynte në kryeqytetin Safavid dhe të merrte dorëzimin e Shahut.

Beteja e Çaldiranit


Asnjë gjeneral nuk donte të vazhdonte fushatën pas betejës dhe Selim I u detyrua të ndalonte për dimër në Amasia. Ushtria ishte në prag të revoltës, por me ndërhyrjen e Ahmed Pashës, trazirat u shmangën. Meqë Selimi ishte i zemëruar me të dhe me gjeneralët e tjerë për ndalimin e fushatës, Ahmed Pasha u shkarkua si vezir. Mënyra tradicionale osmane për ta bërë këtë ishte duke prerë kreshtën e flamurit të përgjithshëm nga tenda e tij. Jeniçerët kur e panë këtë veprim (28 tetor 1514), menjëherë u revoltuan dhe situata u përkeqësua, sepse flitej se Selimi donte ta vriste. Nën kërcënimin e revoltës së përgjithshme, Selim I u detyrua të rivendoste Dukaginzade Ahmed Pashën dhe ta promovonte atë në postin më të lartë në perandori, atë të Vezirit të Madh në fund të vitit 1514. Në shkurt 1515, shpërtheu një revoltë tjetër e jeniçerëve dhe duket se Selimi I kishte vënë në shënjestër Ahmed Pashën, sepse trupat plaçkitën mbështetësit e Selimit. Ahmed Pasha u fajësua për organizimin e një komploti kundër tij dhe Selim I e ekzekutoi atë në mars 1515. Kur u bë i njohur ekzekutimi i tij në Shqipëri, trazira shpërthyen në qytetet kryesore: Krujë, Shkodër dhe në Lezhë, qendrën e vjetër të Dukagjinëve.

Punimet e ndërtimit të Ahmed Pashës në Prizren vazhduan nga pasardhësit e tij dhe kulmuan me projektin masiv të ndërtimit të stërnipit të tij Dukaginzade Gazi Mehmed Pashës, i cili ndërtoi kompleksin që sot njihet si Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit.

Next
Next

Pal Dukagjini